Spanja do t’i ofrojë Ukrainës një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë 1 miliard euro në vitin 2026.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e deklaroi këtë gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin Volodymyr Zelensky, raporton Ukrinform.
“Do të doja të paraqesja masa të reja nga Spanja, para së gjithash, një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë 1 miliard euro për vitin 2026. Në total, ndihma e Spanjës në këtë luftë ka arritur në 4 miliardë euro”, ka thënë Sanchez.
Ai shtoi se një pjesë e kësaj ndihme parashikon prodhimin e përbashkët të produkteve të mbrojtjes.
Kreu i qeverisë spanjolle vuri në dukje gjithashtu se Spanja kohët e fundit ka filluar financimin e programit SAFE, i cili pritet gjithashtu të ndihmojë në financimin e nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës në vitin 2026.
Sanchez siguroi se Ukraina mund të mbështetet në ndihmën e Spanjës si në mbrojtjen kundër Vladimir Putinit ashtu edhe në rindërtimin e ardhshëm të vendit.
“I dashur president [Zelensky], Spanja do ta ndihmojë gjithmonë Ukrainën. Nuk duhet të harrojmë se kush qëndron në origjinën e kësaj lufte të padrejtë dhe brutale”, theksoi ai.
Siç raportoi Ukrinform, presidenti Volodymyr Zelensky është për një vizitë në Spanjë.











