Në prag të ndeshjes së Kupës së Italisë kundër Udinese-s, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, u ndal edhe te Edon Zhegrova, duke dhënë një koment që ka tërhequr vëmendje dhe që i jep interes të veçantë tifozëve shqiptarë.
Spalletti theksoi se kosovari vjen pas një dëmtimi të gjatë, por mbetet një lojtar me “shkëndijë” të fortë në këmbë:
“Ai ka një energji të gjallë dhe kur ndizet, mund të krijojë probleme me topin. Zhegrova e ka talentin dhe fantazinë në lojë, i vë flakën aksioneve,” u shpreh tekniku, duke nënvizuar se aftësitë e tij në duele dhe në 20 metrat e fundit janë shumë të rrezikshme për kundërshtarët.
Megjithatë, Spalletti shtoi edhe një detaj të rëndësishëm për momentin aktual të formës së Zhegrovës: për shkak të gjendjes fizike pas dëmtimit, ai po jep maksimumin kryesisht në zonën sulmuese dhe mund të jetë më i përshtatshëm si zëvendësues që hyn gjatë lojës për të ndryshuar ritmin dhe për të goditur në momentet e fundit.
Një deklaratë që e vendos Zhegrovën në qendër të vëmendjes, si një “armë” që mund ta trondisë ndeshjen sapo të futet në fushë.










