Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë pesë persona, mes tyre tre punonjës të Policisë Rrugore të Tiranës, të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv.
Të pandehurit janë:
Roven Zeka, Shef Komisariati në Policinë Rrugore të Tiranës
Sokol Novaku, Shef i Seksionit të Hetimit të Aksidenteve Rrugore
Edison Tabaku, specialist në të njëjtin seksion
Ergest Vrioni dhe Bledi Belba, shtetas civilë
Sipas dosjes hetimore, ngjarja lidhet me një aksident rrugor të ndodhur më 16 prill 2025, në Tiranë, ku u përfshinë dy automjete njëri i drejtuar nga shtetasja Anisa Vrioni dhe tjetri nga Andri Koçi. Pas aksidentit, personat në automjetin e Koçit u dërguan në spital, ndërsa Vrioni u shoqërua në Komisariatin nr. 3 të Tiranës dhe më pas u la e lirë.
Edison Tabaku, i cili kishte njohje të hershme me bashkëshortin e Anisës, Ergest Vrionin, kishte kërkuar dhe marrë 200 mijë lekë ryshfet, në bashkëpunim me eprorët e tij Roven Zeka dhe Sokol Novaku.
Sipas prokurorisë, paratë u morën me qëllim që Anisa Vrioni të mos arrestohej për aksidentin. Në këtë skemë, dyshohet se është përfshirë edhe Bledi Belba, i cili ka ndërhyrë pranë shefit të Komisariatit për të ndihmuar Vrionin, duke i dorëzuar 1 mijë euro në këmbim të ndërhyrjes.
SPAK akuzon tre efektivët për “korrupsion pasiv të funksionarëve të drejtësisë”, ndërsa dy shtetasit e tjerë për “korrupsion aktiv”, të kryer në bashkëpunim.










