Ashtu siç u lajmërua një ditë më parë, Partia Mundësia u mblodh sot në orën 09:30 përballë Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
Shehaj theksoi një ditë më parë se vendimi që pritet të merret sot për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, nëse një qeveritar i korruptuar mund të pezullohet nga detyra, është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë dhe përballjen me pandëshkueshmërinë.
Shehaj akuzon qeverinë se po përpiqet të bllokojë drejtësinë dhe të mbajë në detyrë Belinda Ballukun, që është pezulluar me vendim gjykate.
Ditën e sotme, në Gjykatën Kushtetuese do të zhvillohet seanca lidhur me masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe zhvillohet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se me vendimin për pezullimin e Ballukut, gjykata ka cenuar kompetencat e tij kushtetuese si kryeministër.










