Një gjykatë në Sllovaki ka dënuar Juraj Cintula, 72 vjeç, me 21 vjet burg për tentativë vrasjeje ndaj kryeministrit populist Robert Fico, ngjarje që ndodhi më 15 maj 2024. Cintula u shpall fajtor për sulm terrorist nga Gjykata Penale e Specializuar në Banská Bystrica. Ai kishte qëlluar Ficon kur ky i fundit po përshëndeste mbështetësit pas një mbledhjeje qeveritare në Handlová, rreth 140 kilometra nga Bratislava.
Pas incidentit, Cintula u arrestua menjëherë dhe mbeti në paraburgim. Gjatë hetimeve, ai mohoi se ishte terrorist. Kryeministri Fico u godit në bark dhe iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar në spitalin e Banská Bystricës, ku kaloi dy operacione në total dhe tani ka arritur të shërohet plotësisht. Cintula deklaroi se veprimi i tij ishte motivuar nga mosmarrëveshje me politikat e qeverisë, veçanërisht me vendime si mbyllja e zyrës kundër korrupsionit dhe ndalimi i ndihmave ushtarake për Ukrainën.
Ai tezën e tij e mbështeti në një dëshmi të lexuar në gjykatë, ku tha se nuk kishte pasur qëllim të vriste dikë, dhe shprehu lehtësim që Fico kishte mbijetuar. Ndryshimi i akuzës nga tentativë vrasjeje në sulm terrorist ndodhi për shkak të provave të reja që u zbuluan, megjithatë, prokuroria nuk dha detaje të mëtejshme. Fillimisht, ngjarja u cilësua si një sulm politikisht të motivuar, ndonëse dolën informacione që i referoheshin mundësisë së përfshirjes të një personi të tretë.
Fico, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatë, tha se nuk ndien urrejtje ndaj Cintulës dhe se e ka falur atë. Ai është rikthyer në pushtet për herë të katërt, duke u përballur me akuzat se po ndjek një politikë pro-rusë dhe anti-amerikane, duke lejuar që protesta të mëdha të zhvillohen në Bratislavë dhe në qytete të tjera sllovake kundër qeverisë së tij. Kritikët e akuzojnë për devijim nga politika pro-perëndimore të vendit.










