Gazetarja Ola Xama akuzon SPAK se po mbyll pa lavdi dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale një nga aferat më të mëdha të mashtrimit financiar me vlerë 37 milionë euro, e njohur ndryshe si çështja e abuzimit me mikrokreditë.
Xama thekson se në materialet hetimore del qartë që një zinxhir agjencish shtetërore nuk funksionuan dhe toleruan që të binin pre e shantazhit për të marrë kredi mbi 30 mijë familje.
Lidhur me këtë, Ola Xama shprehet se nuk ka asnjë person të marrë në hetim nga këto instanca. Xama thekson se s’ka asnjë sqarim se përse Prokuroria e Tiranës zvarriti çështjen për katër vjet.
Sakaq, Xama shton se nesër në Gjykatën e Posaçme do të mësohet dhe për fatin e hetimit tjetër të dërguar në SPAK nga Prokuroria e Tiranës lidhur me implikimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nëse ka patur apo jo përgjegjësi institucionale titullari i këtij institucioni dhe përse nuk ka vepruar me heqjen në kohë të licencës së MCA dhe Final kur ankesat e qytetarëve janë bërë prej vitesh dhe në tryezën e tij ka që prej vitit 2020 raporti i auditit të Departamentit të Mbikëqyrjes ku renditeshin të gjitha shkeljet e dy kompanive.
Reagimi i plotë i Xamës
SPAK po mbyll pa lavdi dhe pa asnjë përgjegjësi institucionale një nga aferat më të mëdha të mashtrimit financiar me vlerë 37 milion euro, e njohur si çështja e abuzimit me mikrokreditë.
Edhe pse në materialet hetimore del qartë që një zinxhir agjencish shtetërore nuk funksionuan dhe toleruan që të binin pre e shantazhit për të marrë kredi mbi 30 mijë familje dhe 1700 prej tyre t’u tjetërsoheshin pronat, nuk ka asnjë person të marrë në hetim nga këto instanca.
Në dosje del qartë që pronarët e MCA dhe FINAL përdornin të dhënat personale të personave që kishin kredi të palshlyera në banka dhe të familjarëve të tyre, të cilët i shantazhonin se do t’i merrnin çdo gjë nëse nuk paguanin vlerën e disafishuar të debisë ose nëse nuk hynin në një marrëveshje të re kredie me institucionet financiare MCA dhe FINAL. Logjika të çon që të dhënat personale kanë rrjedhur nga AKSHI, por askush nga kjo agjenci jo vetëm që nuk dyshohet por as nuk është hetuar
1700 prona janë tjetërsuar përmes ankandeve fiktive dhe janë regjistruar në emrat e MCA dhe FINAL, ndërsa me mijëra të tjera janë vendosur nën sekuestro në Kadastër, por askush nga ky institucion nuk është i dyshuar për regjistrimin e pasurive pa verifikuar procedurën se si është zhvilluar ankandi. Çuditërisht veprimet e tjetërsimit të pronave përkojnë kur drejtimin e këtij institucioni e kishte Dallëndyshe Bici, por nga ana e SPAK nuk është bërë asnjë verifikim për të parë këtë përgjegjësi.
Llogaritë bankare jo vetëm të debitorëve, por dhe të familjarëve të tyre janë vendosur në sekuestro të plotë, pa garantuar nivelin e minimumit jetik e duke shkelur çdo të drejtë e procedurë, por asnjë bankë apo punonjës i tyre nuk është vënë në përgjegjësi. Vetëm për vitin 2024 janë mbi 11 mijë llogari bankare të bllokuara në bankën BKT jashtë çdo afati. Por nuk ka asnjë përgjegjës.
Asnjë sqarim se përse Prokuroria e Tiranës zvarriti çështjen për katër vjet. Asnjë sqarim se përse SPAK fillimisht shpalli moskompetencën për këtë dosje në vitin 2021, por në 2024 e pranoi se çështja ishte për juridiksionin e tij.
Asnjë përgjegjësi nga Ministria e Drejtësisë se përse nuk kallzoi penalisht në kohë përmbaruesit që nuk dorëzuan dosjet dhe vulat duke marrë peng mijëra familje, por kallzimet për ta u depozituan 1 vit më vonë pasi çështja u bë skandal mediatik. Asnjë përgjegjës se përse përmbaruesve që bënin ankandet fiktive nuk iu hoq licenca që të ndalej praktika abuzive, pasi Ministri i Drejtësisë e kishte konstatuar këtë skemë, madje dhe kallzuar përmbaruesit në fjalë.
Nesër në Gjykatën e Posaçme do të mësohet dhe për fatin e hetimit tjetër të dërguar në SPAK nga Prokuroria e Tiranës lidhur me implikimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nëse ka patur apo jo përgjegjësi institucionale titullari i këtij institucioni dhe përse nuk ka vepruar me heqjen në kohë të licencës së MCA dhe Final kur ankesat e qytetarëve janë bërë prej vitesh dhe në tryezën e tij ka që prej vitit 2020 raporti i auditit të Departamentit të Mbikëqyrjes ku renditeshin të gjitha shkeljet e dy kompanive.
Sa për fundin e hetimeve të skemës së mashtrimit, e lexova vendimin e Prokurorit Edvin Kondili për kuriorizitet. Nuk lëvizte asnjë presje nga vendimi që kishte dërguar në SPAK grupi i prokurorëve të Tiranës në nëntor 2024. Asnjë veprim hetimor shtesë, asnjë fjalë e ndryshuar. Ndryshimi i vetëm është që prokurorit iu deshën 7 muaj ta lexojë vendimin, ndërsa gazetarëve dy ditë…!