Skandali i përdorimit të pesticideve mbi normat e lejuara në produktet shqiptare ka rikthyer vëmendjen e opinioni publik, pas rasteve të fundit të bllokimit të eksporteve. Pas domateve dhe pjeshkëve që u ndaluan nga Kroacia, një sasi specesh të kuq shqiptarësh u tërhoqën menjëherë nga tregu në Slloveni për shkak të pesticideve të tepërta, si acetamiprid, formetanate dhe flonicamid.
Kompania Geaprodukt e Sllovenisë dha urdhërin për tërheqjen e specave, të cilat ishin dërguar në periudhën 24 gusht – 4 shtator, të paketuar në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike. Autoritetet sllovene njoftuan qytetarët që të mos konsumonin produktin dhe t’i kthenin atë në vendin e blerjes ose ta hidhnin, duke iu bërë thirrje për të dezinfektuar duar pas kontaktit me ushqimin e ndotur.
Ky incident sipas ekspertëve tregon një problem të thellë në kontrollin e cilësisë së produkteve bujqësore në Shqipëri. Raste të ngjashme u raportuan disa ditë më parë, kur Kroacia asgjесиoi katër tonë domate shqiptare, pasi ato u gjetën me pesticide 5 herë më shumë se norma e lejuar, konkretisht me helmin chlorfenapyr. Po ashtu, pesë tonë pjeshkë nga Divjaka u shkatërruan për shkak të prezencës së lartë të metalit të rëndë nikel.
Ky skandal rikthen në fokus çështjen e sigurisë ushqimore dhe mbikëqyrjes së standardeve për produktet bujqësore në Shqipëri. Ekspertët e shëndetit publik dhe mjedisit janë të shqetësuar për rreziqet që këto pesticide të tepërta përbëjnë për shëndetin e konsumatorëve, duke vënë gjithashtu në pikëpyetje infrastrukturën e mbikëqyrjes dhe kontrollit të cilësisë në sektorin bujqësor.
Ka një nevojë për masa të mëtejshme nga autoritetet shqiptare për të siguruar që produktet që dalin në treg të përmbushin standardet e kërkuara, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe reputacionin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.