Reshjet e dendura të dëborës kanë vijuar në zonat malore të qarkut Shkodër, duke krijuar vështirësi në qarkullim. Situata më problematike është shënuar në aksin Bogë – Qafë Thore – Theth, ku autoritetet kanë punuar për mbajtjen e rrugës të hapur, për shkak edhe të fluksit të lëvizjeve.
Aktualisht, qarkullimi është i mundur, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, pasi reshjet e dëborës vijojnë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se po monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa shqetësim mbeten edhe rreziku i ortekëve në zonë.
Ndërkohë, zona e Dukagjinit vijon të jetë e izoluar prej katër ditësh, pas një shembjeje të re të rrugës.
Situata është përkeqësuar edhe nga reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje masive dheu dhe dëmtime serioze të aksit rrugor në afërsi të degëzimit të fshatit Marknonaj, në Njësinë Administrative Pult.
Autoritetet janë në terren për vlerësimin e dëmeve dhe ndërhyrjen për normalizimin e situatës.










