Simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë nisur festën në Mitrovicë të Jugut, ku sipas parashikimeve, Arian Tahiri i kësaj partie do ta fitojë këtë komunë në raundin e parë.
Kush është Arian Tahiri që pritet të udhëheqë me Mitrovicën e Jugut?
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, sipas sondazheve pritet që të qeverisë me këtë komunë në katër vjetët e ardhshme.
Tahiri ka qenë pjesë e udhëheqjes së kësaj komune, pasi ka shërbyer si nënkryetar i Bedri Hamzës për katër vjet.
Sipas ueb-faqes së Komunës së Mitrovicës së Jugut, Tahiri u lind në Mitrovicë më 1993.
Ai ka përfunduar studime në ekonomi dhe shkenca politike. Studimet e doktoratës i ka përfunduar në South East European University, në drejtimin ekonomiks.
Ndërkaq, ai ishte marrë edhe me sport. Përkatësisht, që në fëmijëri ka qenë pjesë e shkollës së basketbollit të ekipit “Trepça”.
Më 2009 është bërë basketbollist profesionist i klubit basketbollist “Trepça” dhe u shpall kampion i kupës së Kosovës. Karrierën si basketbollist e ka përfunduar më 2019.
Exit poll-et e publikuara në Kosovë e kanë nxjerrë atë fitues. Megjithatë, mbetet të konfirmohet ky rezultat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që ka nisur publikimin e rezultateve zgjedhore./rel










