Është shtyrë sërish seanca paraprake për dosjen e Ilir Metës. Shkak u bë mungesa e avokatit të Monika Kryemadhit. Seanca e radhës do të mbahet më 11 nëntor.
Vetë ish deputetja ishte prezente, e cila nuk kurseu batutat para se të hynte brenda gjykatës. “Më thonë pastaj nuk je paraqitur në orar, se më njoftuan hajdeni me vrap….”
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.
Monika Kryemadhi, pas shtyrjes së seancës paraprake në GJKKO, hodhi akuza teksa tha se SPAK vazhdon të shantazojë Ilir Metën dhe familjen e saj me hetimet që po vazhdon edhe pse dosjen e ka kaluar për gjykim. Ajo shënjestroi Altin Dumanin duke e cilësuar si ushtar të Yuri Kim, ish ambasadores së SHBA.
“Vazhdon hetimi, nëse dosja hetimore do të ishte mbyllur në 27 korrik, Prokuroria vazhdon e heton, thërret dëshmitarë dhe hetimi për Metën, Kryemadhin, mamanë time etj vazhdon. Dmth se jemi në hetim paraprak dhe arsyeja për të cilën është hetuar në mënyrë të tillë është për të mbajtur Metën në burg, mua dhe familjarët nën presion. Ata që duan ta bëjnë janë ushtarë të bindur të Yuri Kim, edhe pse është në largim e sipër.”, tha Kryemadhi.










