Presidenti Donald Trump është i vetmi person që i di planet e tij për Iranin, tha Shtëpia e Bardhë, pasi presidenti amerikan paralajmëroi se një “qytetërim i tërë do të vdesë” nëse Teherani nuk arrin një marrëveshje të martën.
“Regjimi iranian ka kohë deri në orën 8 të mbrëmjes sipas kohës lindore për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretarja e Shtypit Karoline Leavitt në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AFP, kur u pyet nëse Trump ishte i përgatitur të përdorte një armë bërthamore dhe në lidhje me raportet se Irani kishte ndërprerë negociatat.
“Vetëm Presidenti e di se ku qëndrojnë gjërat dhe çfarë do të bëjë me Iranin”, u shpreh ajo.
Në një postim në rrjetet sociale më herët të martën, Trump paralajmëroi se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u rikthyer kurrë më”.
“Nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë”, tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.
“Megjithatë, tani që kemi një ndryshim të plotë dhe total të regjimit, ku mbizotërojnë mendje të ndryshme, më të zgjuara dhe më pak të radikalizuara, ndoshta diçka revolucionare e mrekullueshme mund të ndodhë, kush e di?. Do ta zbulojmë sonte, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të botës. 47 vjet zhvatje, korrupsion dhe vdekje, më në fund do të marrin fund. Zoti i bekoftë njerëzit e mëdhenj të Iranit”, përfundoi ai.
Trump ka kërcënuar të shënjestroj infrastrukturën iraniane nëse Teherani nuk do të bije dakord për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës të martën, duke thënë se ai “po shqyrtonte shkatërrimin e gjithçkaje dhe marrjen në kontroll të naftës”.
Ndërkohë, shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së e dënoi atë që e quajti “retorikë nxitëse” që rrethon luftën dhe paralajmëroi se sulmet e qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile ishin “një krim lufte”.











