Plani i Kryeministres italiane Giorgia Meloni për të nxjerrë në ankand dhuratat e marra gjatë mandatit të saj ka hasur në pengesa serioze përpara fillimit të tij, pasi shtëpia e ankandeve e përzgjedhur është nën hetim penal. Bertolami Fine Art, e cila ishte caktuar për të menaxhuar ankandin, është nën hetim për një çështje të mundshme trafikimi të paligjshëm të objekteve arkeologjike. Media italiane raportoi se themeluesi i shtëpisë është pezulluar për shkak të kësaj çështjeje.
Prokurorët dyshojnë për një rrjet trafikantësh që kanë vjedhur objekte arkeologjike dhe i kanë kaluar përmes shtëpive të ankandeve për t’i “legjitimuar” ato dhe për t’i rikthyer në tregun e artit. Ndërkohë, Bertolami ka mohuar përfshirjen në aktivitete të paligjshme. Zyra e Kryeministres deklaroi se nuk kishte dijeni për hetimin gjatë përzgjedhjes së shtëpisë së ankandeve, pasi çështja kishte qenë nën sekret gjyqësor. Pas publikimit të detajeve nga gazeta “Il Fatto Quotidiano”, Palazzo Chigi ndërpreu menjëherë bashkëpunimin me Bertolami.
Sipas ligjit italian, kryeministrat nuk mund të mbajnë dhurata personale mbi vlerën prej 300 euro, prandaj shumica e objekteve të dhuruara ndodhen në një hapësirë të sigurt në Palazzo Chigi, jashtë sytë të publikut dhe pa një regjistër të qartë. Disa nga dhuratat e Meloni, si një figurë aksioni nga presidenti argjentinas Javier Milley dhe një gjerdan diamanti nga presidenti uzbek Shavkat Mirziyoyev, kanë shkaktuar shumë kureshtje.
Planifikuar për të mbledhur rreth 800 mijë euro, ankandi kishte si synim të ndihmonte bamirësinë, me një pjesë të vogël për të mbuluar kostot dhe tarifat e shtëpisë së ankandeve. Megjithatë, ndodhitë e fundit kanë vënë në pikëpyetje këtë iniciativë, duke krijuar pasoja për reputacionin e Kryeministres dhe administratës së saj.











