Shtatë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Bullgarinë, Republikën Çeke, Gjermaninë, Hungarinë, Italinë, Poloninë dhe Sllovakinë, i janë drejtuar Komisionit Evropian për të anuluar ndalimin e shitjes së automjeteve të reja me naftë dhe benzinë deri në vitin 2035. Sipas dy letrave të publikuara nga Euronews, këto vende argumentojnë se ndalimi përbën një rrezik për sektorin automobilistik evropian.
Këto shtete kërkojnë që Komisioni të shqyrtojë shitjen e automjeteve hibride pas vitit 2035 si pjesë e rishikimeve legjislative që pritet të bëhen. Ata pranojnë nevojën për të ulur emetimet e CO2, por insistojnë që ligji të jetë teknologjikisht neutral, duke i dhënë qeverive kombëtare mundësinë për të zgjedhur mënyrën më të mirë për të mbajtur konkurueshmërinë dhe për të reduktuar emetimet.
Alternativat e propozuara përfshijnë automjetet hibride elektrike, ato me hidrogjen dhe biokarburant. Shtetet e përmendura gjithashtu theksuan nevojën për një infrastrukturë më të mirë karikimi dhe pika mbushjeje me hidrogjen në të gjithë BE-në. Një nga letrat nënvizonte se propozimi i Komisionit duhet të përqendrohet në praktika të mira, stimuj tatimorë dhe programe mbështetjeje.
Shtatë vendet që lobojnë për ndryshime përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë së BE-së dhe kanë shprehur qëndrime kundërshtuese ndaj ndalimit të motorëve me djegie të brendshme për vitin 2035. Ata pretendojnë se prodhuesit e automjeteve përballen me çmime të larta të energjisë, mungesë komponentesh dhe një kërkesë të pamjaftueshme për automjetet elektrike.
Krizën në industrinë automobilistike po e përjeton dhe Gjermania, e cila kërkon të ruajë pavarësinë strategjike të sektorit të saj automobilistik. MEP-i gjerman Jens Gieseke theksoi se duhet hapur legjislacioni për të njohur rolin e karburanteve CO2-neutral, duke mundësuar një konkurrencë të drejtë midis teknologjive të ndryshme të propulsorit.
Kreu i Asociacionit Evropian të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA) vuri në dukje se objektivi i vitit 2035 nuk është më realist për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme. Komisioni Evropian pritet të njoftojë rishikime të standardeve të CO2 për makinat dhe furgonët, por ndonjëherë janë shprehur se propozimi mund të vonohet.









