Ka nisur seanca plenare e ditës së sotme, gjatë së cilës pritet të miratohet projektrezoluta për shpalljen e Iranit “shtet financues i terrorizmit”.
Në projektrezolutën e paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Rama, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, ekzekutivi të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.
Drafti dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Por ndërsa kjo rezolutë është cilësuar “nevojë urgjente” nga socialistët, demokratët kanë bojkotuar seancën.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë prezantimit të projektrezolutës në Kuvend kërkoi që Garda Revolucionare dhe Hezbollah të shpallen organizata terroriste.
Balla: Terrorizmi nuk është vetëm një akt dhune, është një strategji e qëllimshme frikësimi, destabilizimi dhe minimi të rendit demokratik. Godet civilët, institucionet dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar sistemi ndërkombëtar pas Luftës së Dytë. Prandaj lufta kundër terrorizmit nuk është thjesht një çështje sigurie, është një betejë për mbrojtjen e demokrasicë, për mbrojtjen e shtetit të së drejtës, për ruajtjen e paqës.
Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend shumë i qartë dhe i palëkundur në këtë qëndrim të sajin. Ne jemi një vend që ka zgjedhur anën e demokracive dhe anën e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Si vend i NATO-s dhe si vend kandidat për anëtar të BE, Shqipëria ka jo vetëm të drejtën por edhe detyrimin të kontribuojë në sigurinë kolektive të aleancës. Rezoluta ëstë pjesë e këtij angazhimi të vazhdueshëm.
Vendi ynë ka qenë vetë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta në hapësirën tonë kibernetike. Sulmi i rëndë i vitit 2022 ndaj institucioneve tona ishte një nga episodet më serioze të agresionit kibernetik ndaj një vendi sovran. Shumë përpjekje të tjera janë parandaluar ose zbuluar në kohë. Vetëm pak ditë më parë Kuvendi ishte shënjestra e një sulmi të ri kibernetik. Këto nuk janë incidente të zakonshme teknologjike, janë akte të mirëfillta armiqësore.
Në rezolutë synojmë të dënojmë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin, të dënojmë përdorimin e mjeteve hibride përfshirë sulmet kibernetike kundër shteteve sovrave. Rezoluta i bën thirrje qeverisë shqiptare të shpallë Gardën Revolucionare të Iranit dhe Hezbollah në Iran si organizata terroriste.











