Kombëtarja shqiptare u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Ukraina në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Estadi Ciutat de València”, në Valencia.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho e nisi sfidën me Strakoshën në portë, ndërsa në formacionin titullar ishin edhe Mitaj, Gjimshiti, Pllana, Hysaj, Asllani, Shehu, Laçi, Broja, Uzuni dhe Hoxha. Pjesa e parë ishte kryesisht e balancuar, me pak raste të pastra nga të dyja skuadrat.
Rasti më i mirë për kuqezinjtë në 45 minutat e para erdhi në minutën e 25-të, kur Armando Broja përfitoi nga një aksion në krahun e djathtë, kaloi mbrojtësit kundërshtarë dhe tentoi të finalizonte përballë portierit, por pa mundur ta dërgonte topin në rrjetë. Fraksioni i parë u mbyll pa gola, 0-0.
Në nisje të pjesës së dytë, Sylvinho hodhi në fushë Pilon dhe Mehmetin në vend të Hoxhës dhe Brojës, por Ukraina gjeti avantazhin shumë shpejt. Në minutën e 46-të, Oleksiy Gutsulyak realizoi me kokë dhe kaloi ukrainasit në epërsi.
Shqipëria reagoi dhe në minutën e 59-të ishte shumë pranë barazimit me Qazim Laçin, i cili provoi me një goditje të fortë nga distanca, por portieri kundërshtar arriti të ndërhynte. Më pas, në minutën e 60-të, trajneri kuqezi kreu tre ndërrime të tjera, duke aktivizuar Balliun, Bajramin dhe Pajazitin në vend të Hysajt, Shehut dhe Laçit. Deri në fund, Kombëtarja kërkoi golin e barazimit, por rezultati mbeti i pandryshuar dhe ndeshja u mbyll me fitoren 1-0 të Ukrainës.










