Të rinjtë dhe studentët u bënë pjesë e një bashkëbisedimi të hapur mbi ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Të pranishëm ishin kreu i qeverisë Edi Rama, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, kryenegociatorja Majlida Dhuka dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në këtë proces, duke nënvizuar se integrimi europian është një përgjegjësi e përbashkët.
“Nuk duam të flasim për ju, duam të flasim me ju. Duam t’ju dëgjojmë dhe të kuptojmë si e perceptoni këtë proces, sepse jemi bashkë në të. Integrimi në BE është një proces për ta ribërë vetveten dhe na takon të gjithëve të jemi të përfshirë. Dikur ishte një ëndërr, sot është një projekt dhe synimi ynë është ta kthejmë në rezultat,” u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se procesi i integrimit nuk njeh ndalesa dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm nga të gjithë qytetarët, veçanërisht nga të rinjtë, të cilët do të jenë përfituesit kryesorë të anëtarësimit.
Ndërkohë, kryenegociatorja e Shqipërisë me BE, Majlinda Dhuka, prezantoi idenë e një “kontrate sociale” me të rinjtë në kuadër të vizionit “Shqipëria 2030 në BE”.
“Ne duam të nënshkruajmë një kontratë të re sociale me të rinjtë. Kjo ide mbështetet në tre shtylla kryesore: së pari, të rinjtë si pjesë e transformimit europian; së dyti, si zhvillues dhe kontribues në inovacion; dhe së treti, si ambasadorë europianë në komunitetet e tyre,” tha Dhuka.
Ajo theksoi se zëri i të rinjve është thelbësor në familje, në universitete dhe në rrjetet sociale, duke i ftuar ata ta kthejnë objektivin e Shqipërisë për anëtarësim në BE në një “trend” të përbashkët shoqëror.










