Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një arritje historike që ka forcuar sigurinë, sovranitetin dhe rolin e vendit në aleancën euroatlantike.
Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Shqipërisë si një aleate e denjë në shërbim të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të vendit në misionet dhe operacionet e Aleancës.
Në këtë kontekst, Presidenti Begaj shprehu krenarinë për përkushtimin dhe profesionalizmin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë kontribuar me dinjitet krah aleatëve kudo sa herë dhe ku është kërkuar kontributi i tyre.
Presidenti theksoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për të qenë një faktor stabiliteti dhe sigurie dhe se krah aleatëve të saj ajo do të vijojë të kontribuojë për paqen, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë.
Në të njëjtën linjë, edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një postim në platformën X, e cilësoi anëtarësimin në NATO si një hap vendimtar që konsolidoi themelet e sigurisë kombëtare dhe orientimin euroatlantik të vendit.
Hoxha theksoi se Shqipëria ka dëshmuar ndër vite se është një aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke kontribuar aktivisht në misionet e NATO-s dhe duke promovuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Duke parë drejt së ardhmes, Hoxha bëri të ditur se Shqipëria po përgatitet të presë për herë të parë në rajon një samit të NATO-s, duke e cilësuar këtë si një shprehje të besimit në rolin dhe kontributin e saj brenda Aleancës.
Postim në X i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha:
Si sot, 17 vjet më parë, Shqipëria hodhi një hap vendimtar drejt së ardhmes së saj duke u bërë anëtare me të drejta të plota në NATO – një moment historik që e ankoroi vendosmërisht rrugëtimin tonë euro-atlantik dhe konsolidoi themelet e sigurisë kombëtare.
Që nga ai moment përcaktues, Shqipëria ka dëshmuar se është një Aleate e përkushtuar dhe e besueshme, duke kontribuar aktivisht në misionet dhe operacionet e NATO-s, si dhe duke promovuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën euro-atlantike të Kosovës.
Sot, Shqipëria është plotësisht e harmonizuar me prioritetet në zhvillim të NATO-s: nga ndarja e drejtë e përgjegjësisë dhe rritja e investimeve në mbrojtje, te forcimi i qëndrueshmërisë, përqafimi i inovacionit dhe avancimi i teknologjive të reja në një mjedis sigurie që ndryshon me shpejtësi.
Duke parë drejt së ardhmes, Shqipëria ka nderin të përgatitet për të pritur Samitin e radhës së NATO-s për herë të parë në rajonin tonë. Ky nuk është thjesht një aktivitet; është një shprehje e qartë e besimit në rolin, besueshmërinë dhe kontributin e Shqipërisë brenda Aleancës.
Në një botë gjithnjë e më komplekse dhe të pasigurt, Shqipëria mbetet e palëkundur — e bashkuar me Aleatët, e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe e dedikuar për ruajtjen e paqes, lirisë dhe vlerave tona të përbashkëta.










