Gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të premte një shpërthim tritoli u regjistrua në qytetin e Lezhës. Policia njofton se ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, në qytetin e Lezhës në biznesin e shtetasit Ilir Markvukaj, 47-vjeç.
Një sasi lënde plasëse u hodh para derës së lokalit të mbyllur të këtij shtetasi dhe si pasojë pati vetëm dëme materiale, fatmirësisht jo të lënduar.
“Rreth orës 03:00, të mëngjesit të sotëm, në qytetin e Lezhës, para derës së lokalit të mbyllur, të shtetasit I. M., 47 vjeç, është hedhur lëndë plasëse dhe për pasojë janë shkaktuar dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Deri më tani nuk është bërë i mundur identifikimi i këtij shtetasi, sakaq policia po punon për zbardhjen e ngjarjes si dhe kapjen e këtij shtetasi.
Sakaq theksojmë se pronari i biznesit ku dhe ndodhi shpërthim rezulton një emër i njohur për drejtësinë. Ai operon me disa biznese në qytetin e Lezhës, si palestër, bar-kafe dhe së fundmi një fermë me kafshë.
47-vjeçari vite më parë, konkretisht në 2017 ka rënë në prangat e policisë gjatë një aksioni antidrogë. Gjatë operacionit asokohe u sekuestruan mbi 25 kilogramë kanabis, ndërkohë që përveç Markvukajt u bë i mundur arrestimi i shtetasit Besim Gashi dhe Sami Vatija nga Kosova.