Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në lagjen nr. 1 të Pogradec, pranë qendrës tregtare Capri Center, ku një automjet tip “Range Rover” është përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit.
Mjeti është djegur pothuajse plotësisht dhe, sipas burimeve lokale, i përket Erion Maxharit, person i njohur nga autoritetet për precedentë të mëparshëm penalë.
Raportohet se ai ka pasur probleme ligjore edhe më herët, përfshirë një arrestim gjatë ditës së zgjedhjeve pas një konflikti fizik me një komisioner.
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet procedurale dhe po analizon me detaje rrethanat e incidentit.
Janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonë për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, por deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar mbi shkakun e zjarrit.
Policia vijon hetimet për të përcaktuar nëse pas incidentit fshihen motive apo faktorë të tjerë.










