Dy të vdekur dhe dyzet të plagosur është bilanci deri më tani i aksidentit që ndodhi në Milano, ku një tramvaj doli nga shinat dhe më pas u përplas me një ndërtesë.
Mediat italiane raportojnë se aksidenti ka ndodhur për shkak se çelësi për të ndërruar shinat nuk është aktivizuar, duke rezultuar që tramvaji të vendosej në shinat e gabuara. Sipas televizionit publik Rai, ky zhvillim tragjik mund të jetë për shkak të një situate ku drejtuesi I tramvajit ka humbur ndjenjat ose ndonjë problemi tjetër shëndetësor, që e ka ndaluar këtë të fundit të shtypte butonin që vendoste tramin në shinat e duhura.
Zyra e prokurorit të Milanos njoftoi se kishte nisur një hetim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa më shumë se tridhjetë zjarrfikës dhe anëtarë të Mbrojtjes Civile ishin aktivë në dhënien e ndihmës së shpejtë.
Vërehet se aksidenti ndodhi pak pas orës 16:00 në Viale Vittorio Veneto, ndërsa tramvaji po udhëtonte nga Piazza Repubblica në Porta Venezia, duke shkaktuar mobilizim të madh midis autoriteteve.










