Shkupi do të vishet sot kuqezi në një ditë të veçantë për shqiptarët, të cilët ashtu siç kanë paralajmëruar, do të protestojnë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut kundër gjykimit çlirimtarëve të UÇK-së në Hagë.
Tubimi pritet të nisë nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbeu” në Shkup dhe është përkrahur nga shumë figura politike, ndërkohë që ish-luftëtarëve të UÇK-së iu bëhet thirrje të mos shkojnë se e rrezikojnë arrestimin.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.
Ai ka theksuar se protesta synon kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia, duke shtuar se pjesëmarrja është një akt përgjegjësie për nderimin e sakrificës dhe mbrojtjen e së vërtetës historike.
“Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, tha ai.
Ndërkaq, nga Prishtina mbështetje i dha edhe kryetari Përparim Rama, i cili tha se pas Prishtinës dhe Tiranës, edhe Shkupi ngre zërin për drejtësi.
“Kjo është një thirrje për unitet, respekt dhe mbrojtje të vlerave që na bashkojnë si popull. Shpreh mbështetjen time për të gjithë shqiptarët e Shkupit dhe të gjitha trevave që nesër protestojnë në mënyrë paqësore, në mbrojtje të UÇK-së, si vlerë e patjetërsueshme kombëtare. Si kryetar i kryeqytetit të Republikës së Kosovës, do të jem gjithmonë krah bashkëkombësve të mi. Forca jonë si popull qëndron te uniteti, respekti dhe mirënjohja”, ka shkruar Rama.
Ndërkohë, Sekretari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla ka lëshuar një thirrje të veçantë për ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare, duke kërkuar të mos marrin pjesë sepse ekziston rreziku iarrestimit nga autoritetet maqedonase.
“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marrë atë rrugë, sepse nuk kemi garancë. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”, tha Syla dje.










