Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Berat, ku 37-vjeçari Fabjel Toska, i njohur me pseudonimin Xhindi, është plagosur me armë zjarri pas një konflikti të lindur nga parakalimi i mjeteve.
Incidenti ka ndodhur në zonën e quajtur “Dogana”, në hyrje të qytetit. Sipas të dhënave paraprake, Toska po udhëtonte me një automjet tip Seat së bashku me një shok, në aksin Kombinat–Dimal, kur janë përballur me një fuoristradë të zezë.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se mes dy automjeteve ka pasur manovra parakalimi të përsëritura, të cilat çuan në një debat të tensionuar. Toska ka zbritur nga makina për të komunikuar me drejtuesin e fuoristradës, por gjatë këtij momenti shoferi i mjetit tjetër ka hapur xhamin dhe e ka qëlluar me armë zjarri, duke e plagosur në bark.
37-vjeçari u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Shoku i tij, i pranishëm gjatë ngjarjes, deklaroi se nuk kanë pasur asnjë njohje të mëparshme me autorin. Pas të shtënave, ai ka njoftuar policinë dhe ka dhënë dëshminë e tij.
Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.











