Kush udhëton nga Korçë në Tiranë dhe anasjelltas, paguan 300 lekë më shumë. Linjat e transportit e kanë rritur çmimin e biletës për shkak të shembjes së rrugës në Librazhd. Autobusët dhe mikrobusët prej 5 ditësh po lëvizin në rrugën alternative Gramsh–Maliq, e cila është një rrugë interurbane (ndërqytetase) me distancë më të gjatë dhe me kthesa të shumta.
Bileta e autobusit në linjën Korçë–Tiranë ishte 700 lekë, ndërsa tashmë është bërë 1000 lekë. Qytetarët ankohen për koston e lartë dhe të papërballueshme, pasi për të bërë rrugën vajtje-ardhje duhet të shpenzojnë plot 2 mijë lekë (20 euro).
Drejtuesit e autobusëve thonë se u detyruan ta rrisin çmimin e biletës për shkak të rritjes së konsumit të karburantit.










