Shembja e një shpati shkëmbor në zonën e njohur si Kthesat e Dragostunjës ka bllokuar për rreth 7 orë aksin rrugor Librazhd–Prrenjas, duke lënë mijëra qytetarë dhe dhjetëra automjete të izoluar.
Për situatën ka reaguar drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një “fenomen natyror”, të shkaktuar nga mbingopja e malit me ujë, duke përjashtuar çdo lidhje me punimet që po zhvillohen aktualisht në këtë segment rrugor.
Sipas Kozelit, ndonëse trasa e re kalon mbi malin ku ndodhi rrëshqitja dhe mjetet e rënda janë çdo ditë në terren, ndërhyrjet nuk kanë ndikuar në destabilizimin e masivit shkëmbor. “Kemi konstatuar edhe me sy të lirë se mali është i mbingopur nga uji. Nuk ka asnjë lidhje me punimet që po kryhen,” deklaroi ai.
Megjithatë , deklarata e kreut të ARRSH ngre pikëpyetje serioze pasi zona me ndërhyrje intensive infrastrukturore, monitorimi gjeologjik dhe masat parandaluese duhet të jenë të vazhdueshme, vecanërisht në kushte reshjesh dhe terreni të paqëndrueshëm.
Mungesa e paralajmërimeve, e planeve emergjente dhe e devijimeve funksionale të trafikut e rëndon më tej situatën.










