Kreu i ushtrisë iraniane, gjenerali Amir Hatami, deklaroi se është gati për një “përgjigje shkatërruese” ndaj kërcënimeve të SHBA-së për ndërhyrje, pas sigurimit të 1.000 dronëve, siç raportoi sot televizioni shtetëror.
“Përballë kërcënimeve me të cilat po përballemi”, ushtria ka si “prioritet forcimin e avantazheve të saj strategjike për një përgjigje të menjëhershme dhe shkatërruese ndaj çdo pushtimi apo sulmi”, deklaroi gjenerali.
Nën urdhrat e tij, ekipet e artilerisë luftarake siguruan “1.000 dronë strategjikë” që u prodhuan nga “ushtria në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, pas kërcënimeve të reja dhe mësimeve të nxjerra nga lufta 12-ditore” me Izraelin në qershor, raportoi televizioni shtetëror.
Ministri i Jashtëm i Iranit në Ankara të premten
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragçi, pritet të udhëtojë drejt Ankarasë për bisedime me qëllim parandalimin e një sulmi të mundshëm amerikan, në një kohë kur diplomatët turq po përpiqen të bindin Teheranin se nevojiten lëshime në programin e tij bërthamor për të shmangur një konflikt me pasoja potencialisht shkatërruese.
Sipas Guardian, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, propozoi zhvillimin e një telekonference mes Donald Trumpit dhe presidentit iranian, Masoud Pezeshkian. Prej më shumë se një dekade nuk ka pasur bisedime zyrtare të drejtpërdrejta mes dy vendeve.
Donald Trump ka paralajmëruar Teheranin se koha po mbaron, duke deklaruar se çdo sulm amerikan do të jetë i ashpër.










