Ushtria amerikane njoftoi se ka “eliminuar” 16 anije iraniane të cilat ishin të afta të transportonin dhe vendosnin mina “pranë Ngushticës së Hormuzit”, pasi presidenti Donald Trump paralajmëroi Iranin të mos vendosë mina në këtë zonë strategjike.
Ndërkohë, dy anije tregtare janë dëmtuar nga “predha të panjohura” në të njëjtën zonë detare.
Irani vazhdon sulmet në rajon, duke goditur objektiva në Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajt.
Nga ana tjetër, Izraeli ka nisur sulme të reja kundër Iranit dhe Libanit, ndërsa raportohet edhe për një goditje ndaj një ndërtese banimi në qendër të Bejrutit.
Më herët, shefi i policisë së Iranit deklaroi se çdo qytetar që mendon të protestojë kundër qeverisë do të trajtohet “njësoj si armiku”.
Centcom-i amerikan publikon pamje të anijeve që shpërthejnë
Komanda Qendrore e SHBA-së publikoi gjatë natës pamje të anijeve detare iraniane që u shkatërruan nga sulmet e SHBA-së.
Sipas CENTCOM, 16 anije iraniane që vendosnin mina pranë Ngushticës së Hormuzit u “eliminuan” të martën.
Gjatë një konference në Pentagon, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Dan Caine, deklaroi se shkatërrimi i flotës detare të Iranit është një nga tre objektivat kryesore të operacionit “Epic Fury”.

Më herët, presidenti i SHBA-së Donald Trump kishte paralajmëruar se çdo anije iraniane që do të përpiqej të vendoste mina në Ngushticën e Hormuzit do të shkatërrohej. Kjo zonë është një rrugë kyçe ndërkombëtare e transportit detar, ku kohët e fundit edhe anije tregtare janë sulmuar.
Pamjet e publikuara nga CENTCOM në X tregojnë anije të madhësive të ndryshme që shpërthejnë pasi goditen nga predha.












