Hyrja në selinë e linjës ajrore kombëtare izraelite El Al në Paris është mbuluar gjatë natës nga e mërkura në të enjten me bojë të kuqe dhe grafite me përmbajtje politike, duke shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet izraelite.
Gazetarët e AFP raportuan këtë mëngjes se në muret që rrethojnë hyrjen e ndërtesës — e vendosur në lagjen e 3-të, në qendër të kryeqytetit francez — ishin shkruar slogane si: “Palestina rron, Palestina do të fitojë”, “Në djall sionizmi”,
“El Al – Genocide Airline” (El Al – Linja ajrore e gjenocidit).
Fasada e ndërtesës dhe toka përreth ishin lyer me bojë të kuqe, duke lënë të kuptohet për një akt proteste të organizuar dhe simbolik.
Ministrja izraelite e Transportit, Miri Regev, e dënoi ashpër incidentin, duke e quajtur atë një “akt barbar dhe të dhunshëm kundër El Al”.
“Pres që forcat franceze të rendit të identifikojnë kriminelët dhe të marrin masa të rrepta kundër tyre”, deklaroi ajo. “Sot është El Al, nesër mund të jetë Air France. Kur Presidenti Macron jep dhurata për Hamasin, ky është rezultati”, shtoi ministrja, duke iu referuar vendimit të fundit të Francës, për të njohur Palestinën.
Në fund të korrikut, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do të njohë zyrtarisht Shtetin e Palestinës në shtator, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ambasadori izraelit në Francë, Joshua Zarka, vizitoi fasadën e dëmtuar mëngjesin e së enjtes, duke e cilësuar ngjarjen si një “akt terrorist”.
“Sulmuesit synojnë të terrorizojnë punonjësit e El Al, qytetarët izraelitë dhe t’u japin atyre ndjesinë se nuk janë të mirëpritur, qoftë në Francë apo diku tjetër”, tha ai.
Sipas linjës ajrore El Al, incidenti ndodhi ndërsa ndërtesa ishte bosh dhe nuk kishte rrezik për punonjësit. “El Al shfaq me krenari flamurin izraelit në bishtin e avionëve të saj dhe dënon çdo formë dhune, veçanërisht atë me motive antisemitiste”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga kompania, cituar nga televizioni izraelit N12.
Ky nuk është rasti i parë i një akti të tillë në Paris. Në fillim të qershorit, disa objekte hebraike në qytet u lyen me bojë të gjelbër dhe tre shtetas serbë u arrestuan e u akuzuan për veprimtari në interes të një fuqie të huaj, me dyshimet që drejtohen drejt Rusisë.