Një vilë me vlerë rreth 500 mijë euro është sekuestruar nga Guardia di Finanza në Faenza, Itali, pasi rezultonte në pronësi të një shtetasi shqiptar të hetuar për trafik të substancave narkotike.
Sipas mediave italiane, hetimet kanë zbuluar se pasuria e shqiptarit ishte e papajtueshme me të ardhurat e deklaruara, duke ngritur dyshime të forta për origjinën e paligjshme të fondeve.
Vendimi për sekuestrimin erdhi pas kontrolleve të ndërlikuara ekonomiko-pasurore të koordinuara nga prokuroria dhe të zbatuara nga efektivët e Guardia di Finanza-s në Faenza.
Në veçanti, analiza e llogarive bankare të familjes së të hetuarit nxori në pah një menaxhim anormal të burimeve financiare. Gjatë viteve të verifikuara, u konstatua se shpenzimet për jetesën e përditshme si blerja e ushqimeve dhe veshjeve ishin minimale. Po ashtu, rezultoi një mungesë pothuajse totale e tërheqjeve të parave cash dhe e pagesave për furnizim me karburant.
Falë kryqëzimit të të dhënave të mbledhura gjatë hetimeve mbi aktivitetet e dyshuara të paligjshme, autoritetet arritën në përfundimin se fondet e akumuluara në llogaritë bankare, pavarësisht të ardhurave të deklaruara nga puna, mund të ishin siguruar përmes disponueshmërisë së konsiderueshme të parave cash të lidhura me trafikun e drogës, për të cilin ai ishte nën hetim.
Nga rindërtimi i detajuar i profilit ekonomiko-financiar të të gjithë familjes, hetuesit konstatuan se ky profil nuk justifikonte investimet e kryera, veçanërisht blerjen e fundit të vilës me vlerë të lartë.
Ekzekutimi i sekuestrimit, i urdhëruar nga autoriteti gjyqësor lokal, përbën një masë parandaluese që synon goditjen e pasurive të dyshuara me origjinë të paligjshme, kur ato rezultojnë në mospërputhje me kapacitetin e deklaruar financiar.








