Mesazhi i Donald Trump ndaj aleatëve evropianë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga çështja e Groenlandës u përforcua nga sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili deklaroi se Evropa është “shumë e dobët” për të garantuar vetë sigurinë e saj.
Bessent minimizoi kërcënimet e Bashkimit Evropian për anulimin e marrëveshjes tregtare të arritur vitin e kaluar me administratën Trump, duke theksuar se presidenti amerikan përdor ndikimin strategjik si “levë” për të arritur objektivat e tij.
Të shtunën Trump njoftoi vendosjen e tarifave 10% për produktet nga tetë vende evropiane duke filluar nga 1 shkurti, me një rritje të parashikuar në 25% në qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje për “blerjen e Groenlandës”.
Ky zhvillim shkaktoi reagime të forta, me presidentin francez Emmanuel Macron që e cilësoi masën “të papranueshme” dhe deklaroi se do të kërkojë aktivizimin e mekanizmit më të fuqishëm të kundërmasave të BE-së.
Bessent paraqiti një arsyetim më të gjerë për pretendimin e SHBA-së ndaj Grenlandës, duke përmendur rritjen e konkurrencës gjeopolitike në Arktik, planet e Trump për zhvillimin e mburojës kundërraketore “Golden Dome”, si dhe varësinë e mëparshme energjetike të Evropës nga Rusia, e cil, sipas tij, “financoi operacionet ruse kundër Ukrainës”.
I pyetur nëse qëndrimi i Trump ndaj Evropës është një taktikë negociuese, sekretari amerikan la të kuptohet se presidenti nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs: “Evropianët transmetojnë dobësi, SHBA-ja transmeton forcë”, u shpreh ai.
“Presidenti beson se siguria e përforcuar nuk mund të ekzistojë pa qenë Groenlanda pjesë e Shteteve të Bashkuara”.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të liderëve evropianë se një veprim amerikan për përvetësimin e Groenlandës mund të çojë në shpërbërjen e NATO-s pas më shumë se 70 vitesh, Bessent e cilësoi këtë dilemë si “të rreme”.
“Udhëheqësit evropianë do ta pranojnë dhe do ta kuptojnë se kanë nevojë për ombrellën e sigurisë së Shteteve të Bashkuara”, përfundoi ai.











