Në një intervistë ekskluzive për Euronews, Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, paralajmëroi se furnizimet strategjike kritike mund të përdoren si armë kundër Bashkimit Evropian, nëse Unioni mbetet i varur nga vendet e treta.
Deklarata vjen pas marrjes nën kontroll të kompanisë së çipeve Nexperia nga qeveria holandeze për arsye sigurie kombëtare – një hap që ka acaruar marrëdhëniet mes Evropës dhe Kinës, për shkak të debatit mbi pronësinë dhe kontrollin e teknologjive të ndjeshme.
Si kundërpërgjigje, Kina vendosi kufizime mbi eksportet e çipëve, duke krijuar shqetësime për një mungesë globale, sidomos në industrinë e automjeteve.
Sipas Šefčovič, ky incident nxjerr në pah kompleksitetin e zinxhirit global të furnizimit dhe rreziqet që burojnë nga varësia e thellë e BE-së ndaj partnerëve të jashtëm.
Ai rikujtoi se Evropa u përball fillimisht me varësinë nga gazi rus dhe tani po ndeshet me sfida të ngjashme në materialet kritike dhe prodhimin e çipeve.
Pas një takimi mes përfaqësuesve të Kinës dhe SHBA-së, situata nisi të qetësohej, duke hapur mundësinë që eksportet nga instalacionet e Nexperia-s në Kinë të rinisin.
Megjithatë, Šefčovič tha se rreziku mbetet dhe problemet nuk janë zgjidhur plotësisht, edhe pse prodhuesit e automjeteve po arrijnë gradualisht të sigurojnë furnizimet e nevojshme.
Një nga përgjigjet e BE-së është negociata me Kinën për kufizimet e materialeve të rralla, ndërsa Komisioni po përgatit një plan të posaçëm për të reduktuar dobësitë dhe për të forcuar zinxhirët e furnizimit.
Qëllimi është një qasje e unifikuar evropiane ndaj materialeve kritike, për të shmangur cenuarjen e ekonomisë së bllokut.
Šefčovič theksoi se BE-ja duhet të marrë mësime nga strategjia e Japonisë, e cila ruan me rigorozitet materialet kritike dhe teknologjitë strategjike.
Ai nënvizoi rëndësinë e sigurisë ekonomike dhe kontrollit të eksporteve, duke apeluar për një sistem të harmonizuar në të gjithë BE-në për të parandaluar çdo keqpërdorim që mund të kërcënojë stabilitetin ekonomik të Unionit.











