Hashim Thaçi, njeriu që 18 vjet më parë lexoi fjalimin për aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot do të qëndrojë përballë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë (DhSK), për të mbrojtur me një fjalim të fuqishëm luftën e drejtë dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në këtë moment me peshë historike, ish-presidenti po i drejtohet trupit gjykues, opinionit ndërkombëtar dhe popullit të Kosovës, me një mesazh të qartë për kauzën çlirimtare, rrugëtimin e dhimbshëm drejt shtetësisë dhe për të vërtetën e luftës që ndryshoi përgjithmonë fatin e vendit.
Ish-presidenti Thaçi, e ka përsëritur në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues se “jam plotësisht i pafajshëm”.
“Të nderuar gjyqtarë, për vjet vite në këtë sallë të gjyqit i keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes. Ju i keni parë faktet, ju e keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një e vërtetë: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm. Me bindje të plotë, bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pavarësisht etnisë”, ka thënë Thaçi.
Ish-eprorët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërt janë deklaruar të pafajshëm.
Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.
Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.










