Një situatë e tensionuar është krijuar te Borussia Dortmund pas rinovimit të kontratës së Nico Schlotterbeck. Klauzola e largimit, e cila sipas Bild varion mes 50 dhe 60 milionë eurosh për disa klube të përzgjedhura, ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te tifozët e skuadrës gjermane.
Ajo që duhej të ishte një sinjal stabiliteti për të ardhmen, është kthyer në burim polemikash. Në humbjen 1-0 ndaj Bayer Leverkusen, mbrojtësi u prit me vërshëllima nga tifozët, fillimisht në momentin kur u lexua emri i tij para ndeshjes dhe më pas edhe gjatë lojës.
Ky reagim ka befasuar drejtuesit e klubit. Kryetari Carsten Cramer zbriti madje në zonën mikse për të shprehur publikisht pakënaqësinë ndaj sjelljes së tifozëve.
“Nuk mendoj se kjo është e drejtë dhe, si drejtues, dua ta bëj të qartë: lojtarët që veshin fanellën e Borussia Dortmund meritojnë mbështetje që nga momenti kur zbresin në fushë. Nico është një lojtar që identifikohet me BVB. Është e papranueshme që ai të pritet me vërshëllima,” deklaroi Cramer.
Sipas raportimeve, plani i brendshëm i klubit është që Schlotterbeck të jetë një nga figurat kryesore të projektit të ri. Megjithatë, klauzola e përfshirë në kontratë lë të kuptohet se vetë lojtari po mban të hapura edhe opsione të tjera për të ardhmen.
Mbrojtësi gjerman përflitet si një nga emrat që ndodhen në listën e Real Madrid, ndërsa e ardhmja e tij mund të varet edhe nga paraqitja në Botëror. Nëse Schlotterbeck zhvillon një turne të madh si lider i mbrojtjes së Gjermanisë, klauzola mund t’i hapë rrugën një largimi që këtë verë.
Pikërisht kjo mundësi ka ndezur reagimin e ashpër të tifozëve të Dortmundit, të cilët e shohin me shqetësim mundësinë e humbjes së një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.











