Parku i fëmijëve në Lagjen “Kodër” të Sarandës tashmë mban emrin e humanistes italiane, Motër Daniela Silvestrini, në nder të 30 viteve të saj shërbim në krye të Qendrës Sociale të Motrave Marcelina.
Ceremonia u hap me fjalën e ipeshkvit Xhovani Peraxhi, i cili theksoi se ky emërim është më shumë se një homazh, duke e cilësuar atë si një mesazh kulturor, edukativ dhe shpirtëror për komunitetin.
Nënkryetari i Bashkisë Sarandë, Florjan Sali, u shpreh se emri i Motër Danielës do të mbajë gjallë veprën dhe përkushtimin e saj. Ndërkohë, konsulli i përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Achille Provenzano, vlerësoi ndikimin e Qendrës Sociale në kujtesën kolektive të qytetit.
Kontributi 30-vjeçar i Qendrës Sociale u përshëndet nga qytetarë të shumtë, të cilët theksuan rëndësinë e punës së Motër Danielës në mbështetjen e personave në nevojë. Në nder të saj u zhvillua edhe një meshë e posaçme, me pjesëmarrës nga Saranda dhe Konispoli.
Emri i Motër Danielës, i gdhendur në hyrje të parkut, do t’u kujtojë brezave të rinj vlerat e mirësisë, përkujdesjes dhe dashurisë së pakushtëzuar. Parku “Motër Daniela” nuk është vetëm një hapësirë lojërash për fëmijët, por një simbol i mirënjohjes dhe vlerave humane.
Kjo veprimtari synon të frymëzojë komunitetin që të vazhdojë traditën e solidaritetit dhe humanizmit, të cilat kanë përshkuar jetën dhe veprën e Motër Danielës.










