Analiza e ADN-së ka hedhur dritë mbi rastin e përdhunimit të 12-vjeçares në Pogradec e cila mbeti shtatzënë pas abuzimit nga 67-vjeçari Rushan Selko, i njohur i familjes së saj.
Sipas analizave mjeko-ligjore, është konfirmuar se fëmija i përkiste të dyshuarit të arrestuar nga policia, Rushan Selko.
Rezultatet janë administruar disa ditë më parë dhe tashmë i janë bashkëngjitur fashikullit hetimor të Prokuroria e Korçës.
Organi i akuzës pritet që së shpejti të dorëzojë në gjykatë kërkesën për përfundimin e hetimeve dhe nisjen e procesit gjyqësor ndaj të moshuarit.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik për shkak të natyrës së rëndë të ngjarjes dhe moshës së mitur të viktimës.
Rasti tronditës u zbulua më 31 dhjetor të vitit të kaluar, kur 12-vjeçarja kallëzoi se në muajin gusht 2025 Rushan Selko e përdhunoi në banesën e tij.
E mitura rezultoi 22 javëshe shtatzënë, ndërsa rrëfeu në prokurori se i moshuari e lidhi në banesën e tij dhe kreu marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Familjarët e të miturës, jashtë kamerave, u shprehën se me autorin e dyshuar kishin shumë miqësi dhe rrinin shpesh në shtëpitë e njëri-tjetrit.










