Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të detyrojnë Ukrainën të pranojë ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund pushtimit rus.
Kjo deklaratë e Rubios vjen teksa aleatët evropianë u bashkuan në raundin e ri të bisedimeve në Majemi.
Bisedimet e kësaj fundjave zhvillohen në një moment kur presidenti rus Vladimir Putin, në konferencën e tij vjetore për shtyp, premtoi se do të vazhdojë ofensivën ushtarake në Ukrainë, duke lavdëruar fitoret në fushëbetejë gati katër vjet pas fillimit të luftës.
Emisarët e presidentit Donald Trump po shtyjnë përpara planin ku SHBA-të do të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën, por Kievi pritet të dorëzojë disa territore – një perspektivë që has rezistencë të fortë nga shumë ukrainas.
Por Rubio theksoi se çdo marrëveshje duhet të pranohet nga të dyja palët.
“Nuk ka marrëveshje paqeje nëse Ukraina nuk bie dakord. Ne nuk mund ta detyrojmë Ukrainën të bëjë një marrëveshje. Ne nuk mund ta detyrojmë po ashtu Rusinë të bëjë një marrëveshje. Ata duhet ta duan vetë një marrëveshje”, u shpreh Rubio.
Rubio tha se mund t’u bashkohet bisedimeve në Majemi, qytetin e tij të lindjes, ditën e sotme.
Emisari global i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij Jared Kushner po udhëheqin bisedimet, ku marrin pjesë negociatori kryesor ukrainas Rustem Umerov, si dhe zyrtarë të lartë nga Britania, Franca dhe Gjermania.
Zyrtarë rusë – përfshirë negociatorin e Kremlinit Kirill Dmitriev – pritet të takohen veçmas me zyrtarë amerikanë në Florida gjatë fundjavës.
Umerov shkroi në rrjetet sociale se kishte informuar Presidentin Volodymyr Zelensky pas bisedimeve në Majemi.
“Ne u dakordësuam me partnerët amerikanë për hapat e mëtejshëm dhe vazhdimin e punës së përbashkët në të ardhmen e afër. Ne po veprojmë qartë në linjë me prioritetet e përcaktuara nga presidenti: siguria e Ukrainës duhet të garantohet në mënyrë të besueshme dhe afatgjatë”, tha më tej Rubio.








