Një ndër segmentet rrugore më të amortizuara në Bashkinë e Mallakastrës vijon të mbetet në gjendje të rënduar infrastrukturore, duke izoluar banorët e fshatit Selitë.
Bëhet fjalë për dy akse kryesore që lidhin zonën, rruga Fratar–Selitë me gjatësi rreth 14 kilometra dhe aksi Gjerbës–Selitë prej rreth 5 kilometrash. Banorët shprehen se këto rrugë nuk kanë parë investime prej dekadash, duke u kthyer në pengesën më të madhe të përditshmërisë së tyre.
Sipas tyre, infrastruktura e dëmtuar dhe mungesa e mirëmbajtjes e kanë bërë rrugën pothuajse të pakalueshme, sidomos për automjetet e vogla.
“Tepër e vështirë është situata. As gomari nuk kalon këtu, jo më makinat. Duhet ndërhyrje urgjente,” shprehet një drejtues mjeti.
“Socialiste kam lindur dhe socialiste do vdes”, thotë një e moshuar.
Banorët tregojnë se prej vitesh presin asfaltimin e rrugës, ndërsa çdo ditë përballen me vështirësi për të siguruar shërbimet bazë. Ata detyrohen të udhëtojnë drejt fshatrave përreth ose në Ballsh për shkollim dhe shërbim shëndetësor, duke paguar kosto të larta transporti.
Gjithashtu, ata theksojnë se kjo është periudha kur shumë banorë të larguar kthehen për t’u kujdesur për ullinjtë dhe tokat bujqësore, por gjendja e rrugës ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të lihen djerrë.
Nga rreth 60 familje që numëronte dikur fshati, sot kanë mbetur vetëm rreth 20, të cilat ndihen të braktisura dhe pa mbështetje.
Ndërkohë, kryebashkiaku Qerim Ismailaj ka bërë të ditur se rikonstruksioni i këtij aksi është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026. Sipas tij, pas përfundimit të procedurave, punimet pritet të nisin brenda muajit tetor.











