Franca ka dëbuar 12 zyrtarë diplomatikë dhe konsullorë algjerianë, si dhe ka tërhequr ambasadorin e saj nga Algjer, bëri të ditur të martën Presidenca franceze. Masa vjen si përgjigje ndaj veprimeve të Algjerisë, të cilat Parisi i konsideron si përshkallëzim të tensioneve mes dy vendeve.
“Autoritetet algjeriane janë përgjegjëse për degradimin e papritur të marrëdhënieve tona dypalëshe,” deklaroi zyra e presidentit Emmanuel Macron.
Kriza e fundit nisi pasi Franca ndaloi një agjent konsullor algjerian, i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin e një aktivisti të opozitës algjeriane. Në kundërpërgjigje, Algjeria dëboi 12 diplomatë francezë, duke thelluar më tej përplasjen diplomatike.
Marrëdhëniet mes Francës dhe ish-kolonisë së saj kanë qenë prej kohësh të ndërlikuara, por tensionet u rritën ndjeshëm vitin e kaluar, kur Presidenti Macron shprehu mbështetje për qëndrimin e Marokut në lidhje me rajonin e diskutueshëm të Saharasë Perëndimore.
Vetëm pak ditë më parë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Nowl Barrot, kishte deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve po përmirësoheshin dhe po ktheheshin në normalitet.
Në qendër të kësaj krize ndodhet edhe aktivisti dhe influencuesi algjerian Amir Boukhors, i njohur në rrjetet sociale si Amir DZ, një kritik i ashpër i presidentit Abdelmadjid Tebboune. Boukhors ka mbi një milion ndjekës në TikTok, ku shpesh denoncon korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Algjeri.