Në kuadër të sensibilizimit kundër dhunës digjitale ndaj vajzave dhe grave, sot u organizua një aktivitet ndërgjegjësues që shfrytëzoi artin për të përcjellë mesazhe të fuqishme. Me anë të lëvizjes, kërcimit dhe interpretimit skenik, artistët u përpoqën të ndihmojnë në rritjen e vetëdijes për fenomenin e dhunës digjitale, pjesë e një shqetësimi në rritje.
Secila lëvizje artistike gjatë aktivitetit shërbeu si thirrje për reflektim, duke theksuar se dhuna digjitale lë pas disa plagë që janë të ngjashme me ato fizike, e për pasojë, kërkon një trajtim të ngjashëm. Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe aktorja e njohur Ema Andrea, e cila me një interpretim të fuqishëm, solli në skenë mesazhet e mbrojtjes dhe forcimit të grave e vajzave. Ajo theksoi rëndësinë e kujdesit me fjalët që përdorim, veçanërisht në rrjetet sociale, ku dhuna verbale mund të ketë pasoja të rënda. Ema bëri thirrje për të mos u bërë dy herë viktimë, duke i inkurajuar vajzat që të mos e dënojnë veten pas një abuzimi.
Gjithashtu, Moter Alma Zogu, e cila ka vite që strehon dhe kujdeset për gra dhe vajza të dhunuara, ndau historinë e forcës që këto gra kanë treguar, duke i rikthyer ato pranë fëmijëve të tyre. Aktiviteti u zhvillua si një përmbyllje e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave”, e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin dhe të thyejë heshtjen rreth çdo forme të dhunës, qoftë ajo fizike apo digjitale.
Nëpërmjet artit, ky aktivitet u tregua si një mundësi e shkëlqyer për të angazhuar publikun dhe për të çelur diskutime mbi çështje të rëndësishme sociale, duke motivuar njerëzit që të flasin dhe të reagojnë ndaj dhunës në të gjitha format e saj. Kjo fushatë vazhdon të tregojë se ndalja e dhunës kërkon jo vetëm veprime, por edhe shprehi të reja të menduari dhe ndjeshmërie.










