Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo, është shprehur shumë optimist për shanset e kombëtares së Brazilit në Kupën e Botës, duke theksuar se “Seleção” ka më shumë mundësi se çdo ekip tjetër për të ngritur trofeun.
Ish-sulmuesi i njohur vlerësoi se brezi aktual i futbollistëve brazilianë, që aktivizohen në Evropë, ka arritur pjekurinë e duhur për të synuar suksesin më të madh në arenën ndërkombëtare.
Sipas Ronaldo, prania e emrave si Vinicius Junior, Raphinha dhe talenti i ri Estevao e bën Brazilin favorit kryesor për turneun.
“Ata janë të gjithë lojtarë fantastikë, shkëlqejnë te ekipet më të mëdha në Evropë dhe kanë eksperiencën e nevojshme. Besoj se kemi një shans real për ta fituar Kupën e Botës”, deklaroi Ronaldo.
Ai shtoi se potenciali i kësaj skuadre është mbi shumicën e rivalëve dhe se, edhe pse rruga drejt titullit do të jetë shumë e vështirë, Brazili nis me një avantazh të madh për shkak të cilësisë që ka në përbërje.
Pavarësisht konkurrencës së fortë nga përfaqësueset evropiane, Ronaldo beson se Brazili ka shanse më të larta se pothuajse të gjitha kombëtaret e tjera për të fituar trofeun më të rëndësishëm në futbollin botëror.











