Rodri ka lënë të kuptohet se një lëvizje e mundshme drejt Real Madridit nuk përjashtohet, edhe pse në të kaluarën ka luajtur për Atletico Madridin. Mesfushori i Manchester Cityt deklaroi se fakti që ka veshur fanellën e Atleticos nuk e pengon të mendojë për një transferim te rivali i madh i qytetit.
“Ka pasur shumë lojtarë që e kanë ndjekur atë rrugë. Jo menjëherë, por me kalimin e kohës. Për mua, klubet më të mira në botë nuk mund t’i refuzosh”, është shprehur lojtari spanjoll për mediat spanjolle.
29-vjeçari, fitues i Topit të Artë për vitin 2024, ka kontratë me Manchester Cityn deri në verën e vitit 2027 dhe pranoi se në një moment do të duhet të ulet për të biseduar me klubin anglez për të ardhmen. Ai shtoi gjithashtu se një ditë do të dëshironte të rikthehej në Spanjë.
Kur u pyet për admirimin që presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, raportohet të ketë për të, Rodri u përgjigj se nuk ka pasur kontakte direkte dhe se çdo qasje do të kalonte përmes agjentit të tij.
Rodri është një nga figurat kryesore të Manchester Cityt që prej transferimit nga Atletico në vitin 2019, duke zhvilluar 293 ndeshje dhe duke fituar 12 trofe madhorë me skuadrën e Pep Guardiolës, përfshirë katër tituj të Premier League dhe një Champions League.











