Toni Kroos pritet të rikthehet te Real Madrid, kësaj here jo si futbollist, por si pjesë e strukturës drejtuese të klubit madrilen.
Sipas raportimit të DiarioAS, ish-mesfushori gjerman ka pranuar një ofertë nga “Los Blancos” dhe do të marrë një rol në menaxhimin e ri sportiv të klubit. Ende nuk është bërë e ditur me saktësi se cili do të jetë pozicioni i tij, por është e sigurt se Kroos do të jetë pjesë e projektit të ri të Real Madrid.
Mungesa e figurave me eksperiencë dhe cilësi në aspektin drejtues duket se ka shtyrë klubin madrilen të marrë masa të rëndësishme, duke afruar një emër që njeh në mënyrë perfekte ambientin dhe ADN-në e skuadrës.
Kroos iu bashkua Real Madrid në vitin 2014 nga Bayern Munich dhe qëndroi për dhjetë vite në “Santiago Bernabeu”. Gjatë kësaj periudhe, ai zhvilloi 465 ndeshje në të gjitha garat, shënoi 28 gola dhe dha 99 asistime.
Me fanellën e Real Madrid, ish-mesfushori gjerman fitoi pesë trofe të Champions League dhe katër tituj në La Liga, duke u kthyer në një nga mesfushorët më të rëndësishëm në historinë moderne të klubit. Kroos u tërhoq nga futbolli në vitin 2024, por tani duket gati për një rikthim të ri, këtë herë jashtë fushës.











