Deputeti i “Partisë Mundësia”, Erald Kapri, gjatë fjalës së tij në Kuvend ditën e sotme, e cilësoi rezolutën për shpalljen e Iranit “shtet financues i terrorizmit” si një akt servil politik, që sipas tij synon të mbrojë fatin politik të kryeministrit Edi Rama dhe të tregojë besnikëri ndaj perëndimorëve.
Kapri kritikoi qeverinë për mosveprim ndaj çështjeve të brendshme, duke përmendur protestat për të drejtën e pronës, rritjen e çmimit të naftës dhe mbrojtjen politike të individëve të caktuar, dhe e krahasoi situatën me shkeljet e të drejtave të njeriut në Iran. Ai theksoi se rezoluta nuk reflekton realitetin e Shqipërisë dhe se veprimet e vendit nuk janë në përputhje me parimet që pretendohet të mbrojë për Perëndimin.
Erald Kapri: Kjo rezolutë do të merrte kuptim nëse kjo qeveri do të sillej si perëndimore para se të sillte rezoluta servile të këtij lloji. Këto rezoluta janë thjesht për të shpëtuar fatin politik të Edi Ramës dhe nevojën për t’u treguar sa më shumë servile në sytë e perëndimorëve.
Ne bëjmë rezolutë kundër Iranit, ndërkohë që Irani ka sulmuar Kuvendin. Flasim për luftën kundër Lindjes, por Senati amerikan thotë që Shqipëria ka rritur tregtinë me Kinën. Çfarë u bëhet shqiptarëve këtu ngjan shpesh me atë që Garda iraniane i bën popullit të vet.
Ka dy muaj që një fshat proteston për të drejtën e pronës. Policët rrahin banorët dhe askush prej jush nuk ka folur; ju flisni për Shqipërinë perëndimore. Çmimi i naftës rritet pa u bllokuar ende Ngushtica e Hormuzit. Po të flasësh për të drejtat e njeriut, përjashtohesh nga parlamenti. Nëse do të ishim afër Perëndimit, nuk do t’i bënit mbrojtje politike Ballukut.











