Një situatë shqetësuese është konstatuar në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku çarjet e vjetra dhe ato të reja të shfaqura në trupin e rrugës janë thelluar ndjeshëm, duke rritur rrezikun për përdoruesit e këtij segmenti të rëndësishëm kombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndërhyrë menjëherë me masa paraprake emergjente për të parandaluar aksidente të mundshme dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit.
Në koordinim me Policia e Shtetit është aplikuar kufizim i lëvizjes me një korsi në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja.Është vendosur semafor për disiplinimin e trafikut, me kalim të alternuar të mjeteve.
Këto masa janë vlerësuar si të domosdoshme për të shmangur çdo incident në një segment që për shkak të dëmtimeve të terrenit paraqet rrezik të shtuar.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për mirëkuptim dhe respektim të sinjalistikës rrugore, duke theksuar se kufizimet janë të përkohshme, por të domosdoshme për garantimin e sigurisë rrugore në këtë aks të rëndësishëm që lidh Lindjen me Juglindjen e vendit.









