Çmimi i arit shënoi sot (23 dhjetor) një rritje të fortë, duke kaluar nivelin e 4.400 dollarëve për ons (Ari 24 karatë: rreth 144 – 145 $ për gram) dhe duke arritur një rekord historik, mes rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe politikave më lehtësuese monetare. Në orët e mbrëmjes, ari u tregtua rreth 4.475 dollarë për ons, pasi më herët kishte prekur edhe nivelin e 4.477 dollarëve. Që nga fillimi i vitit, vlera e tij është rritur me mbi 70%, duke forcuar rolin e arit si investim i sigurt dhe mbrojtje ndaj inflacionit.
Sipas analistëve, tregu i metaleve ka pasur një performancë shumë të fortë gjatë gjithë vitit, me arin në krye të rritjes. Siç u shpreh analisti i investimeve Brett Kenwell nga eToro, faktorët bazë të tregut mbeten të qëndrueshëm dhe ari ka përballuar me sukses rritjen e shpejtë drejt niveleve rekord.
Në të njëjtën linjë u rrit edhe çmimi i argjendit, i cili arriti në 69 dollarë, duke shënuar një rritje prej rreth 130% që nga fillimi i vitit. Analistët vlerësojnë se si ari ashtu edhe argjendi po i afrohen niveleve më të larta historike të mbylljes, në një periudhë kur tregjet e aksioneve po mbyllen fuqishëm, të nxitura kryesisht nga sektori i teknologjisë.
Investitorët po orientohen drejt arit për shkak të rreziqeve gjeopolitike, përfshirë tensionet në tregtinë e naftës dhe konfliktet ndërkombëtare, si dhe për shkak të pritshmërive për politika monetare më të buta. Rritja e optimizmit u nxit edhe nga uljet e njëpasnjëshme të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së, ndërsa në Wall Street pritet lehtësim i mëtejshëm në vitin 2026.
Një rol të rëndësishëm në rritjen e çmimeve kanë luajtur edhe bankat qendrore, të cilat kanë shtuar blerjet e arit. Sipas Këshillit Botëror të Arit, deri në tetor janë blerë rreth 254 tonë ar, me kërkesë të shtuar nga institucione si Banka Kombëtare e Polonisë.
Megjithatë, pavarësisht entuziazmit aktual, disa analistë paralajmërojnë se rritja mund të mos vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Capital Economics parashikon që çmimi i arit të bjerë drejt 3.500 dollarëve për ons deri në fund të vitit 2026, një zhvillim që mund të ndikojë negativisht edhe në çmimin e argjendit.










