Në fjalën e tij gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka diskutuar për disa reforma të rëndësishme që do të bëhen në legjislaturën e ardhshme, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe ligjin për referendumet.
Rama ka theksuar se një prej prioriteteve do të jetë ulja e numrit të deputetëve, duke e cilësuar këtë si një hap të vonuar, por të nevojshëm për të konsoliduar funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë.
“Disa reforma të rëndësishme për të cilat duhet të flasim me njerëzit në këtë proces që nisin nga sot deri në fund të prillit dhe më pas deri në fund të qershorit që konsolidohet me përfundimin e të gjithë zgjedhjeve në PS. Kemi folur për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë, 10 legjislatura kanë hyrë e kanë dalë. Ne do zbresim numrin e deputetëve dhe besoj për këtë ne jemi vonë por prapë kemi të gjithë kohën që t’i thërrasim shqiptarët në referendum dhe ndaj ne do çojmë përpara ligjin e munguar për referendumet sepse ka edhe tema të tjera që duhet ti vendosim përpara shqiptarëve dhe t’i lëmë të thonë se kush është me kë dhe kush është për cfarë. Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni të legjislaturës. Së dyti kemi folur për ligjin organik për funksionimin e kuvendit, i domosdoshëm se kuvendi i ka deputetët pa status. I ka të pamjaftueshme burimet me të cilët funksionon. Nuk ka as shtëpi. Kemi thënë se duhet ta bëjmë Kuvendin me shtëpi. Këto duhen bërë tani”, tha Rama.











