Historia e Cucalón-it është nga ato që të lënë pa fjalë. Ish-lojtari i akademisë së Real Madrid, vetëm 16 vjeç, kishte arritur të stërvitej me ekipin e parë nën drejtimin e Zinedine Zidane. Por një dëmtim i rëndë në gju gjatë një ndeshjeje të Youth League ia ndërpreu brutalisht ëndrrën: pas një përplasjeje aksidentale në fushë, një kundërshtar ra sipër tij dhe ai pësoi këputje të ligamentëve. Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, ai u infektua me një bakter, gjë që e bëri të pamundur rikthimin në futboll.
Në një intervistë për Post United, Cucalón kujton emocionet e thirrjes në stërvitje me ekipin e parë: “Kur isha 16 vjeç, më thirrën të stërvitesha me të parët… s’mund ta besoja. As nuk flija natën më parë. Isco më qetësoi dhe më ndihmoi shumë. Ritmi ishte jashtë kësaj bote. I mbaj mend ato seanca si një ëndërr; do t’ua tregoj fëmijëve të mi.”
Ai rrëfen edhe “kalvarin” e operacioneve: “Në operacionin e fundit në gju, të pestin, po luftoja që të mund të ecja sërish dhe ta përkulja gjurin… jo që të luaja futboll. E dija tashmë se nuk do të luaja më.” Sipas tij, dëmtimi i la pasoja të rënda edhe për jetën e përditshme, duke e pasur të vështirë të përkulë gjurin për t’u ulur dhe duke mos mundur të bëjë pothuajse fare sport.
Në mes të gjithçkaje, ai veçon sjelljen e klubit: “Real Madridi dhe Adidas ma rinovuan kontratën kur isha i dëmtuar dhe e dinin që nuk do të luaja më futboll. Më trajtuan shumë mirë… Do t’i jem gjithmonë mirënjohës Madridit që nuk më braktisi.” Ai shton se gjatë kësaj periudhe ka marrë mbështetje edhe nga Canales, ndërsa Arbeloa i ka ndihmuar duke i lidhur kontaktet.











