Real Madridi ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij ndaj federatave të Francës dhe Anglisë për vendimin për të grumbulluar dy nga lojtarët kryesorë të skuadrës, pavarësisht gjendjes së tyre fizike jo të plotë.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit madrilen janë të habitur nga fakti që Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham janë ftuar nga kombëtaret respektive, edhe pse të dy sapo kanë kaluar probleme fizike dhe nuk konsiderohen ende në formën optimale.
Në “Santiago Bernabéu” ekziston frika se ndeshjet e kombëtareve gjatë pushimit ndërkombëtar mund të sjellin rikthim të dëmtimeve dhe humbjen e dy prej liderëve të skuadrës në një moment shumë delikat të sezonit.
Situata e Kylian Mbappé konsiderohet veçanërisht shqetësuese. Sulmuesi francez u rikthye në fushë vetëm këtë javë në ndeshjen ndaj Manchester Cityt, pasi kishte munguar për tre javë për shkak të një problemi në gju. Real Madridi beson se ai ka nevojë për një rikthim të kujdesshëm dhe gradual, jo për ngarkesë të menjëhershme me kombëtaren. Megjithatë, Didier Deschamps e ka përfshirë sërish në listën e Francës për ndeshjet miqësore të ardhshme.
Po aq e tensionuar është edhe situata e Jude Bellingham. Mesfushori anglez mungon që nga fillimi i shkurtit për shkak të një dëmtimi serioz në kofshë. Ai ende nuk ka luajtur asnjë minutë që prej asaj kohe, por kjo nuk e pengoi stafin e Anglisë ta grumbullojë. Sipas burimit, brenda Real Madridit ky vendim është konsideruar “i papërgjegjshëm”, duke qenë se lojtari nuk e ka rifituar ende ritmin e ndeshjeve.











