Manchester City përjetoi një tjetër mbrëmje të vështirë përballë Real Madridit, me skuadrën e Pep Guardiolës që u dorëzua në “Etihad” përballë një kundërshtari cinik, të qetë dhe tepër efikas në momentet vendimtare. Madrilenët administruan me zgjuarsi ndeshjen e kthimit dhe siguruan kalimin më tej, në një sfidë ku protagonisti kryesor ishte sërish Vinicius Junior.
Pas një nisjeje të fortë nga vendasit, ku Courtois u detyrua të ndërhynte menjëherë me disa pritje vendimtare, Real Madridi goditi në momentin ideal. Një aksion i shpejtë i Vinicius ndryshoi plotësisht fatin e ndeshjes: braziliani fitoi penallti, ndërsa Bernardo Silva u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen që ndali një gol të sigurt. Vetë Vinicius mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi, duke heshtur “Etihad”-in që në minutat e para.
Me një lojtar më pak dhe me disavantazh në rezultat, City provoi të reagonte me forcë dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por Courtois ishte në një mbrëmje të madhe. Portieri belg ndali dy herë Haalandin dhe mbajti Realin në kontroll të plotë të sfidës, përpara se të detyrohej të dilte nga loja në pushim për shkak dëmtimi. Në vend të tij hyri Lunin, i cili vijoi me të njëjtin siguri dhe dha gjithashtu kontribut të rëndësishëm me disa ndërhyrje vendimtare.
Nga ana tjetër, Reali ishte shumë i rrezikshëm në kundërsulm dhe gjeti vazhdimisht hapësira në prapavijën e Cityt. Vinicius ishte i pandalshëm gjatë gjithë mbrëmjes, duke vënë në vështirësi të vazhdueshme mbrojtjen angleze, ndërsa madrilenët menaxhuan me qetësi avantazhin dhe ritmin e ndeshjes. Edhe pse City tentoi të qëndronte në lojë me krenari, ekipi i Arbeloas dha ndjesinë se e kishte gjithçka nën kontroll.
Një tjetër lajm i rëndësishëm për Real Madridin ishte rikthimi i Kylian Mbappé, i cili u aktivizua pas nëntë ndeshjesh mungesë. Francezi u shfaq menjëherë i rrezikshëm dhe dha sinjale pozitive për vijimin e sezonit, në një mbrëmje ku madrilenët treguan pjekuri, personalitet dhe forcë të madhe europiane.
Në fund, Real Madridi vulosi një kualifikim të merituar dhe eliminoi Manchester Cityn pas një paraqitjeje shumë të fortë në Angli. Për Guardiolën ishte një natë tjetër e hidhur përballë “Los Blancos”, ndërsa për spanjollët rruga në Champions vazhdon me një tjetër superpërballje, këtë herë ndaj Bayern Munich.











