Real Madrid dhe Emirates kanë rinovuar partneritetin e tyre, duke arritur një marrëveshje historike që do ta mbajë kompaninë ajrore si sponsor kryesor të klubit të paktën deri në vitin 2031.
Me këtë rinovim, bashkëpunimi mes klubit madrilen dhe Emirates do të zgjasë gati dy dekada. Partneriteti nisi në vitin 2011, ndërsa nga viti 2013 logoja e Emirates u vendos si sponsor kryesor në fanellën e bardhë.
Sipas AS, marrëveshja e mëparshme kapte shifrën e rreth 70-80 milionë eurove, ndërsa me rinovimin e ri Real Madrid pritet të përfitojë afërsisht 100 milionë euro nga sponsorimi në fanellë. Kjo e bën klubin madrilen një nga më fitimprurësit në botë në këtë aspekt.
Marrëveshja nuk përfshin vetëm ekipin e parë të futbollit për meshkuj dhe femra, por edhe sektorin e basketbollit dhe kategoritë e të rinjve.
Presidenti Florentino Pérez e cilësoi këtë partneritet si një lidhje shumë të veçantë, duke theksuar se Emirates ka qenë pranë Real Madrid gjatë një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit.
Nga ana tjetër, Boutros Boutros, drejtues i lartë i Emirates për komunikimin dhe marketingun, u shpreh se bashkëpunimi me Real Madrid është një shembull i qartë i angazhimit të kompanisë për futbollin dhe tifozët.










