Një mister që ka mbajtur miliona njerëz në mbarë botën të dyshojnë për javë me radhë, tani është zgjidhur nga vetë personi në qendër të pyetjes: Kush është ai djalë?
Pedro Elias Garzon Delvaux, një adoleshent kolumbian 15-vjeçar që vishet me një fedora, u pa duke u larguar nga Luvri pak pas ngjarjes që është përshkruar si grabitja e dekadës.
Ai zbuloi se një foto e tij, e bërë nga Associated Press, kishte bërë xhiron e botës pas lajmeve për vjedhjen e Stolisë Mbretërore të Francës. Megjithatë, përkundër interesit për identitetin e tij, ai zgjodhi të mbante sekretin.
Njohës i Sherlock Holmes dhe Hercule Poirot, Delvaux jeton me prindërit dhe gjyshin e tij në Rambouillet, rreth 30 kilometra nga Parisi.
Ai vendosi të heshtë dhe të ndjekë intrigat globale që rrethuan “njeriun në Fedora”. “Nuk doja menjëherë të thosha se isha unë… Ekziston një mister me këtë foto, prandaj duhet të zgjasë,” tha ai.
Në intervistën e tij të vetme pas situatës, Delvaux shfaqej si në foto: me fedora, një jelek Yves Saint Laurent të huazuar nga babai, xhakete të zgjedhur nga mama, dhe pantallona Tommy Hilfiger.
Imazhi që e bëri atë të famshëm kishte për qëllim të dokumentonte një skenë krimi: tre policë pranë një makine që bllokonte hyrjen në Luvrë pas grabitjes.
Një figura e vetme, me një kostum tre pjesësh, kalon përballë një sfondi që duket si një film noir. Interneti e kreu pjesën tjetër: “Njeriu me fedora”, siç e quajtën përdoruesit, u paraqit si një detektiv, apo madje si një personazh fiktiv për një seri Netflix.
Sidoqoftë, e vërteta ishte shumë më e thjeshtë: Delvaux, nëna dhe gjyshi i tij ishin në vizitë në muze. Ata nuk dinin për grabitjen dhe u ndalën për të pyetur policët pse ishin të mbyllur dyert. Pas disa ditësh, ai mori mesazhe dhe screenshot-e nga njerëz që e shihnin si një “yll”.
Stili i tij tërheqës nuk ishte aksidental; Delvaux kishte filluar të vishej kështu për shkak të historisë së shekullit të 20-të dhe detektivëve fiktivë. “Më pëlqen të jem trendy,” tha ai, duke përmendur se kishte ndikuar edhe miqtë e tij.
Tani, me famë dhe ndoshta pasuri në pritje, ai shpreh se “do të vazhdojë të veshë kështu” sepse është stili i tij. “Unë jam një yll,” përfundoi ai.









